Ministri Sveçla në hapjen e konferencës "KosovaPAR 2024"

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla mori pjesë në hapjen e konferencës ndërkombëtare për Administratë Publike “Kosova PAR 2024”. Më poshtë keni fjalimin e plotë të ministrit Sveçla:   Të nderuar ministra, Të nderuar deputetë, I nderuari profesor Massey, Të nderuar ambasadorë, Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,  

Të nderuar pjesëmarrës,

profesorë,ekspertë të fushës e studentë,  

Mirëserdhët në Konferencën e dytë ndërkombëtare për  Administratë publike KosovaPAR2024.

Prania juaj për të dytën herë brenda një viti, tregon përkushtimin tuaj për suksesin e konferencës. Ju falënderoj të gjithëve për ardhjen tuaj dhe pjesëmarrjen aktive në diskutimet rreth transformimit dhe modernizimit të administratës publike.

Në vitin e kaluar, konferenca trajtoi temën "Reformat në administratën publike për qeverisje fleksibile dhe të qëndrueshme". Këtë vit, kemi zgjeruar temën për të shqyrtuar nëse përpjekjet për reforma burojnë nga nevoja për të kapur hapin e humbur apo për të avancuar më tutje. Për mendimin tim, të dyja këto qëndrojnë. Jo vetëm që gjendja në administratë është përmirësuar dhe është në drejtimin e duhur,  por gjendja në përgjithësi në Kosovë, qoftë në aspektin ekonomik, shtet ligjor e demokraci është dukshëm më premtuese.  

Republika e Kosovës renditet e para në Ballkanin Perëndimor për përmirësimin e sundimit të ligjit nga Projekti Botëror i Drejtësisë; për përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile nga Freedom House; për avancimin në luftën kundër korrupsionit nga Transparency International; dhe për lirinë e shtypit nga Reporterët pa Kufij e shumë procese të tjera.

Pavarësisht sfidave edhe në fushën e administratës publike, kemi arritur një progres të rëndësishëm. Është shënuar përparim në implementimin e ligjit të pagave dhe të zyrtarëve publik, duke shtyrë përpara procesin e reformave të nevojshme në administratë, me synimin e modernizimit, profesionalizimit si dhe ofrimit të shërbimeve cilësore dhe të shpejta në administratën publike. Të gjitha këto në shërbim të përkushtimit tonë drejt integrimit në BE.

Gjithashtu, është shënuar progres dhe në ristrukturimi i ministrive dhe agjencive e me theks të veçantë në fushën e digjitalizimit të procedurave administrative dhe  shërbimeve publike.  

Në krahasim me gjendjen e vitit të kaluar kur ofroheshin rreth 120 shërbime publike, sot platforma digjitale e-Kosova i ofron mundësinë qytetarëve qasje në mbi 180 shërbime, apo rritje prej 50% në ofrimin e shërbimeve digjitale.   

Një tjetër aspekt pozitiv në trendin e përgjithshëm është padyshim zvogëlimi i hendekut në administratë mes përfshirjes së grave dhe burrave. Gjatë vitit 2023 kanë qenë 48.3% gra të punësuara në administratë publike, ndërsa këtë vit, 63.3% e zyrtarëve të rekrutuar në administratë publike janë gra. Padyshim se kjo rritje është edhe si rrjedhojë e ligjit të ri për zyrtarët publik që ka krijuar mundësi të barabarta për të gjithë dhe hapjen e administratës, për një brez të ri që sjellin energji dhe njohuri të reja në administratë publike. Ky është një tregues i përparimeve që kemi bërë për barazinë gjinore dhe krijimin e mundësive të  barabarta për të gjithë.

Megjithatë sfidat mbeten andaj takimet si këto përveç se na mundësojnë diskutimet rreth tyre, ndihmojnë dhe në ofrimin e rekomandimeve konkrete dhe profesionale në rrugën përpara.

Padyshim se dhe për një kohë, sfida më e madhe do të mbetet kryesisht  në menaxhimin e burimeve njerëzore. Andaj, po punojmë të jetësojmë krijimin e një Shkolle Kombëtare të Administratës Publike, në bashkëpunim të ngushtë me bordin këshillues për administratë publike.  Kjo shkollë, e cila do të tejkalojë kapacitetet e Institutit të Administratës Publike (IKAP) do të shërbejë si model për rajonin.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kosova ka bërë përparime të rëndësishme falë përkushtimit të institucioneve tona dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë dhe shumë miqve dhe profesionistëve. Andaj, duke qenë të vetëdijshëm se reformat në administratën publike janë një element kyç për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe për ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme, angazhimi ynë do të jetë maksimal.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj dhe ju uroj punime të suksesshme në këtë konferencë!